Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në Moglicë të Gjakovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se mbrëmë, persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie ku kanë arritur që të marrin para të gatshme në vlerë të rreth 5 mijë eurove dhe qindra franga zvicerane.
Mungesën e parave e ka vërejtur pronari i shtëpisë i cili menjëherë ka denoncuar rastin në Polici, ku ndër të tjera ka bërë të ditur se hajnat kanë marrë edhe dokumentet personale të tij bashkë me letërnjoftimin gjerman.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.