image Vjedhje e rëndë në Agjencionin për Financim në Kosovë në Lipjan, i dyshuari aksidentohet duke i ikur policisë

Siguri

Vjedhje e rëndë në Agjencionin për Financim në Kosovë në Lipjan, i dyshuari aksidentohet duke i ikur policisë

news image

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar një person për vjedhje të rëndë në një institucion financiar në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, rreth orës 02:30 të mëngjesit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se institucioni financiar i cili ka qenë cak i kësaj vjedhjeje është Agjencioni për Financim në Kosovë(AFK).

Sipas policisë, ai është kapur në fshatin Qylagë të Lipjanit, pasi që ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë nga rruga.

“Veprimet e shpejta i kanë mundësuar policisë të identifikoj veturën e shfrytëzuar nga të dyshuarit si dhe drejtimin e ikjes. Ndjekja policore ka vazhduar deri në momentin kur në fshatin Qylagë të Lipjanit, të dyshuarit kanë humbur kontrollin mbi veturën e tyre dhe kanë dalë nga rruga”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia njofton se i arrestuar është 31-vjeçari me iniciale H.G., në automjetin e të cilit është gjetur një revole “Zoraki” dhe pesë fishekë.

Afër vendit ku është kapur i dyshuari, policia bën të ditur se është gjetur edhe kasaforta e vjedhur, e cila ka qenë e zbrazët.

I arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e arrestit policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘vjedhje e rëndë’ si dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës'”, njofton policia.

Policia bën të ditur se ka zgjeruar horizontin e hetimeve për të identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të mundshëm të cilët në çfarëdo forme mund të jenë implikuar në këtë rast./Gazeta Sinjali/