image Vjedhje e rëndë në Agjencinë Pyjore të Kosovës, hajnat vjedhin kamionetën e konfiskuar nga Policia - Sinjali

Vjedhje e rëndë në Agjencinë Pyjore të Kosovës, hajnat vjedhin kamionetën e konfiskuar nga Policia

news image

Veturat personale të shumë qytetarëve të vendit janë shpesh cak i hajnave. E një vjedhje e rëndë është raportuar sot në Istog, ku është vjedhur një kamionetë në oborrin e Agjencisë Pyjore të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se sot rreth orës 08:30 zyrtari i APK-së, në fshatin Sinë të Istogut, ka vërejtur se në oborrin e institucionit mungon kamioneta e tipit Mercedes e cila ishte e parkuar aty.

Sipas tij, persona të panjohur kane thyer drynin e rrethojës metalike të oborrit dhe kanë vjedhur kamionetën e cila ishte e ngarkuar me dru.

E njëjta kamionetë, e cila është në pronësi të A.H., ishte konfiskuar më 13 maj nga ana e Policisë Kufitare dhe po ruhej në oborrin e APK-së si dëshmi materiale.

E për ‘zhdukjen’ e kamionetës u njoftua edhe Policia, të cilët kanë intervistuar zyrtarin i cili e vërejti se automjeti u vodh.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, ai ka deklaruar se kamioneta për herë të fundit është parë dje rreth orës 15:00.

Ai ka bërë të ditur se hapësira në të cilën ndodhej e parkuar kamioneta, nuk ka roje, por është zonë nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë.

Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin