Një vjedhje e rëndë me pasoja të mëdha financiare është zbuluar në një fabrikë në fshatin Dubravë të Istogut, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar brenda objektit dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se cak i hajdutëve ka qenë fabrika “AB Coating”, ku dyshohet se autorët kanë vepruar gjatë ditëve të fundit pa u vërejtur nga askush.
Sipas informatave, viktima B. A, ka njoftuar Policinë pasi ka konstatuar se ishte dëmtuar një trafo e energjisë elektrike me kapacitet prej 1 mijë KVA, nga e cila ishin nxjerrë dhe vjedhur pjesët e brendshme.
Sinjali mëson se hajdutët kanë përdorur mjete të forta edhe për të hapur derën hyrëse të fabrikës, ndërsa brenda objektit kanë marrë sasi të konsiderueshme bakri dhe dy akumulatorë nga një kamion që ndodhej në hapësirat e fabrikës.
Sipas vlerësimeve fillestare të pronarit, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 30 mijë euro.
Ankuesi ka deklaruar se për herë të fundit kishte qenë në fabrikë më 26 maj dhe se atëherë gjithçka kishte qenë në rregull.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës rajonale nga Peja, të cilët kanë nisur ekzaminimin e provave dhe mbledhjen e dëshmive.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!