image Vizat, vijat e kuqe në dialog e kërkesa për përkrahje – krejt çka tha presidentja Osmani për takimet me liderët evropianë në Pragë

Politikë

Vizat, vijat e kuqe në dialog e kërkesa për përkrahje – krejt çka tha presidentja Osmani për takimet me liderët evropianë në Pragë

news image

Takimi i Komunitetit Politik Evropian i mbajtur në Pragë të Çekisë, bëri bashkë liderët e 44 shteteve të kontinentit. Në mesin e tyre ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati takime me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe liderë tjerë të shteteve evropiane, raporton Gazeta Sinjali.

Pas Samitit, presidentja Osmani në një konferencë për media ka rrëfyer detajet e takimit, me ç’rast ka bërë të ditur se në takimet me krerët e Francës e Gjermanisë, kanë biseduar edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, ku tha se ua ka prezantuar vijat e kuqe, përtej të cilave nuk mund të shkojë Kosova.

“Kemi diskutuar edhe për dialogun. Franca dhe Gjermania në nivelet më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut, por si përfaqësueses e Kosovës kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, kushtetutshmërisë e vendit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme se sa paqe e stabilitet në rajon. Ekipet e tyre shumë shpejt do të ulen sërish bashkë me ne për të biseduar për këto çka diskutuam sot”, tha presidentja Osmani.

Gjatë takimit, Osmani ka shtruar edhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, edhe shtetet skeptike për vizat e Kosovës, vlerësojnë reformat e bëra që 1 vit e gjysmë.

“Në të gjitha takimet që kam pasur në mbi 25 takime, të gjithë e kanë potencuar se sa shumë I vlerësojnë reformat që Kosova i ka marrë gjatë këtij 1 viti e gjysmë, sidomos për shtetet skeptike që kanë qenë më herët sa i përket vizave kjo ka qenë çështja determinuese në vendimet e tyre.

Për këtë çështje presidentja është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet jemi të kujdesshëm sa i përket atij takimi, pasi nuk përfundon gjithçka aty dhe se ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi.

Ajo ka folur edhe për takimet tjera që pati me kryeministrin grek, të cilin po e takonte për herën e tretë dhe për takimin e parë me kryeministrin sllovak. Të dyja këto janë shtete që nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket kryeministrit të Greqisë e kam takuar edhe dy herë më herët në takime bilaterale të detajuara për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra është hera e tretë që po e takoj, ndërkaq kryeministrin e Sllovakisë është hera e parë që e takoj. Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës. Kisha mundësinë të kërkojë përkrahje përtej tyre me disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Siç e thash tani do të presim edhe vendimet e tyre. Çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pjesë janë shtete mosnjohjes në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, tha Osmani.

Ajo është shprehur se presin që takimi i 13 tetorit ku takohet grupi punues për viza do të dëgjohet nga të gjitha këto shtete duke na përkrahur zëshëm, pavarësisht çfarë qëndrimi kanë sa i përket pavarësisë.

“Shpresojmë, natyrisht jemi optimist por edhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi, po nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë siç e dini deri në hyrjen në fuqi. Çka është me rëndësi është që sot një rivlerësim i Komisionit Evropian, i është dërguar të gjitha shteteve anëtare është jashtëzakonisht pozitiv, dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmim i KE-së i njofton të gjitha shtete anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer këtë 1 vit e gjysme duke i vlerësuar ato si reforma pozitive”, tha Osmani.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

/GazetaSinjali/