image Vitin e kaluar 27 gazetarë u sulmuan në mënyra të ndryshme – drejtësia nuk vepron
[wp-story id="814678"]

Siguri

Vitin e kaluar 27 gazetarë u sulmuan në mënyra të ndryshme – drejtësia nuk vepron

news image

Numri i rasteve kur gazetarët janë sulmuar dhe kërcënuar është rritur gjatë vitit që shkoi në krahasim me 2020-ën.

Janë 27 raste të raportuara ose 6 më shumë se sa në vitin paraprak, derisa mbetet shqetësuese mos reagimi i organeve të drejtësisë.

Gazetarët gjatë raportimeve të tyre vazhdojnë të rrezikohen, duke u sulmuar në mënyra të ndryshme, qofshin fizikisht por edhe në forma të tjera psikike. Madje edhe kur raste raportohen në polici, shumica e tyre kalojnë vite që organet e drejtësisë nuk merren fare.

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj, thotë për KP, se që nga në vitin që lamë pas janë të raportuar 27 raste për sulme kundrejt gazetarëve.

Ajo thotë se shumë prej sulmuesve ende nuk janë vendosur para drejtësisë.

Deri më tani janë raportuar 27 raste të sulmeve dhe kërcënimeve në drejtim të gazetarëve që është tri raste më shumë se vitin e kaluar, ndërsa është 6 raste më shumë se vitin paraprak. Si shifër mundet me u dok shumë e vogël, mirëpo jemi duke fol për një vend, ku në anëtarësinë e AGK-së janë 800 gazetarë, ku nëse flasim për 27 persona po flasim për një 5% të gazetarëve të cilët janë të sulmuar, pastaj natyrisht ka edhe prej atyre rasteve që raportohen vetëm në polici, pra ka diskrepanca në mes asaj të AGK-së dhe policisë, ka gazetarë që nuk duan t’i bëjnë publike rastet edhe i raportojnë direkt në polici. Kemi pas dy raste rishtazi ku e kemi marrë raportin nga policia, gazetarët kanë dashur të mbeten anonim, ne e dimë kush janë gazetarët, dhe policia i ka gjet sulmuesit apo kërcënuesit e tyre. Rasti më i rënd këtë vit, por nuk mund t’i kategorizojmë më i rënd sepse janë të gjitha sulme dhe ne avokojmë që të mos shkelen të drejtat e gazetarëve edhe sulmet janë të gjitha sulme megjithatë, mirëpo në fillim të vitit kemi rastin e gazetarit, Visar Duriqi d.m.th në shkurt të këtij vitit ku kemi pas pamje shumë të pakëndshme edhe për neve është shumë shqetësuese ku sulmuesit apo kriminelët ende nuk janë vendos para drejtësisë”, ka shtuar Mulliqi-Bojaj.

Gazetari, Alidin Damati, tregon për rastin e tij për tensionet në Mitrovicën Veriore në lagjen “Kroi i Vitakut” në vitin 2012. Ai kujton se nga protestuesit e asaj ane kishin marrë ofendime nga më të ndryshmet, e që nuk kjo si duket nuk u mjaftonte, pasi që ata patën filluar të gjuajnë e gurë e shishe në drejtim të gazetarëve

Në Kroi të Vitakut kur ishin tensionet në atë kohë në Veri dhe shkuam për të raportuar nga ky vend. Kishim nevojë të merrnim pamje atëherë, punoja në gazetë dhe kishim nevojë për fotografi dhe ngjashëm. Kërkuam ndihmën e KFOR-it atëherë të cilët na premtuan se do të na ndihmonin dhe në momentin kur kanë negociuar me protestuesit na kanë lejuar të afroheshim pesë metra në distancë nga ata dhe kordoni i KFOR-it ka qenë në mes, dhe në momentin që kemi shkruar ne gazetarët, kanë filluar fyerjet, sharjet në baza nacionale, kanë filluar të hedhin shishe, gur ndaj nesh saqë është dashur KFOR-i të përdorë armë, të shtijë në ajër për të qetësuar situatën. Ka pasur raste kur jam sulmuar në protesta të radikalëve në Veri të Mitrovicës dhe atë në prezencë të Policëve të Kosovës, të stacionit në Veri, të cilët kanë reaguar asisoj sikur të mos kishte ndodhur asgjë, bëheshin sikur nuk po shohin, kthyen shpinën nga ana tjetër, u larguan nga vendi i ngjarjes, ajo që e bënë edhe më tragjike fakti që ka pasur pjesëtarë edhe të KFOR-it, aty nuk më kanë ndihmuar”, shton Damati.

Raste të kërcënimit dhe të sulmit ka edhe Diamant Bajra, gazetari i gazetës Blic, i cili tregon rastin e kërcënimit të një hoxhe nga Peja. E gjithë kjo ,sipas tij, ndodhi pasi që nuk i ka pëlqyer raportimi i gazetarit Bajra, i cili thotë se kur e ka telefonuar hoxha në fjalë ka qenë i informuar edhe për familjen e gazetarit.

Vite më parë kam marrë një telefonatë prej një hoxhe të Pejës të cilit i ka pengu raportimi që e kam bërë, ani pse jam mundu me qenë shumë profesional sepse ai e kishte dilemën që unë nuk kam qenë profesional, kam ballafaquar, kam marrë të gjitha anët. Në atë kohë e kam kontaktua hoxhën, ai e kishte edhe një avokatë që është marrë me të, kështu që edhe përmes avokatit, edhe përmes hoxhës, unë jam mundu t’i përfshijë të gjitha palët që janë përmend në atë formë kur kam raportua. Rasti i tij ka qenë që një familje e ka denoncuar hoxhën e Pejës në polici për shkak se varri në të cilin ka qenë një familjar i tyre është hapur dhe pasi është zhvendos trupi i familjarit të tij, është vendos dikush tjetër. Edhe si rast sigurisht i ka penguar zotërisë në fjalë se pse ka dalë një gjë e tillë dhe kur e kam kontaktua për herë të dytë hoxhën si duket ishte informuar mirë për mua dhe familjen time sepse më ka thënë kështu po e citoj ‘Shumë mirë që me thirre sepse unë e di kush je, e di ku të banon familja, e di ku jeton dhe të gjitha i di për ty dhe tash e tutje do të kesh telashe me mua’. Edhe çka më përmend tjetër është se ai ka lidhje deri në presidencë dhe mundet të më sfidojë në çdo formë. Po kjo nuk më ka zmbraps, unë kam vazhdua rrugëtimin tim, kontakte me të njëjtin nuk kam pas por kam pas selame prej të tjerëve se duhet të tërhiqem, me i rregulluar raportet me atë por që nuk është se jam marrë me të njëjtin, pasi kam mendu që drejtësia ka me vepruar ose do të bëjë diçka”, thotë ai.

Prej rastit të Diamant Bajrës kanë kaluar pothuajse katër vite e që nga ai moment asnjë organ i drejtësisë nuk e ka marrë për bazë si rast, madje përveç prokurorisë një herë siç thotë ai e ka telefonuar për ta pyetur nëse ishte i interesuar për vazhdimin e rastit.

/GazetaSinjali/