Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka reaguar edhe njëherë pas dy vdekjeve të sotme si psojë e koronavirusit në Kosovë, që e çoi në 11 numrin e viktimave.
Vitia ka njoftuar se në spitalin infektiv në QKUK po vijnë raste të rënda me koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.
“Vëmendje: Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. ME ÇDO KUSHT”, ka shkruar Vitia.
“Mes të qenit i shëndetshëm dhe të qenit i prekur ndarja është absolute. Afatgjatësia e masave tona është krejt relative. Jeta është absolute. Për jetën e secilit të punojmë të gjithë”.
“Si Ministri e Shëndetësisë, si Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe si personel shëndetësor, po përpiqemi me çka mundemi”, ka shkruar ai.
Vdekjet e personave me koronavirus, Vitia tha se po i përcjellin me ndjenjë të përgjegjësisë.
“Po e përcjellim me dhimbje të madhe, me ndjenjë të përgjegjësisë çdo shuarje jete në këtë kohë pandemie. Sot u larguan prej nesh edhe dy bashkëqytetarë në betejën kundër COVID-19”.
Ai u ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe t’i përfillin masat.
“Në botë, për shkak të pandemisë po flitet për të prekurit dhe rastet e fatalitetit vetëm me shifra. Por njerëzit janë njerëz e jo shifra. Përndryshe asgjë nuk ka rëndësi nga kultura dhe shtetndërtimi afatgjatë. Ndaj dhe merren masa institucionale. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët”.
“Ju lutem dhe një herë, duhet ta parandalojmë virusin. Çdo disiplinim i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore duhet ta marrë një vlerë, shpëtimin e jetës. Ky virus na i ka bërë një gjë të qartë: nuk duhet të hyjmë në ciklin e sëmundjes, nuk duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit”, ka shkruar Vitia.
Në fund, Vitia u ka shprehur ngushëllime familjarëve të dy të vdekurve sot nga koronavirusi. /Gazeta Sinjali/