Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot qendrën e vaksinimit kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan Gazeta Sinjali.
Me këtë rast, Osmani inkurajoi të gjithë që kanë të drejtë të vaksinohen, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të imunizimit.
“Në këtë vend, ku jepet mesazh i shpresës që edhe pandemisë i jepet fundi. Jam e lumtur që ka filluar vaksinimi i qytetarëve tanë, i stafit mjekësor dhe personave mbi 80-vjeç dhe se çdo gjë po shkon në mënyrë shembullore. Dua t’i falënderoj të gjithë punonjësit shëndetësorë veç e veç. Dua t’i inkurajoj të gjithë që ta kryejnë vaksinimin, sa më parë, në mënyrë që ta kenë mbrojtjen e nevojshme. Jemi duke punuar bashkë me qeverinë, përkatësisht me Ministrinë e Shëndetësisë që sa më shpejt të vijnë kontingjentet e tjera të vaksinave të vijnë sa më parë që të jetë e mundur.”
Vitia tha se në procesin e sigurimit të kontingjentëve të tjerë është e angazhuar edhe presidentja Osmani.
“Është kënaqësi e veçantë që e kemi presidenten Osmani për të dhënë mesazhin, të cilin e dha…Presidentja ka qenë e interesuar dhe është angazhuar që të ndihmojë në sigurimin e vaksinimit“, tha ai.
I pari i Shëndetësisë tha se vaksina antiCOVID nga AstraZeneca deri tani ka rezultuar e sigurt.
Vitia bëri të ditur se deri më tani janë vaksinuar mbi 3100 persona nga stafi shëndetësorë, ndërkaq bëri të ditur se të enjten dhe të premten do të nis vaksinimi i personave mbi moshën 80 vjeç.
“Deri më tani janë vaksinuar mbi 3100 nga personeli shëndetësorë. Nga data 8 dhe 9 e këtij muaji do të nis edhe vaksinimi i personave mbi moshën 80 vjeç, procesi po shkon jashtëzakonisht mirë, është bërë shpërndarja edhe në komuna ku po vazhdon procesi i vaksinimit të personelit shëndetësorë”, tha Vitia./Gazeta Sinjali/