image Vetura me qira dhe përkthyesi, Prokuroria jep detaje për hyrjen ilegale të rusëve në Kosovë

Kosovë

Siguria/ Vetura me qira dhe përkthyesi, Prokuroria jep detaje për hyrjen ilegale të rusëve në Kosovë

news image

Egor Igoreviq (Igor Krasikov) dhe Marina Vladimirovna Krasikova, dy shtetasit rusë që tentuan të hynin ilegalisht në Kosovë pritet që të paraqiten në gjykatë sot pasdite.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Slobodan Bakiq ka konfirmuar se ende nuk dinë detaje nga të arrestuarit, pasi tha se në momentin e arrestimit nuk kishte ndonjë përkthyes të autorizuar që mund të fliste me ta. “Një përkthyes do të sigurohet sot”, tha ai “në mënyrë që të zbulohet se për ku ishin nisur dhe cila ishte arsyeja e hyrjes në Kosovë”, shkruan Gazeta Sinjali.

Por ajo që di Prokuroria fillimisht është se shtetasit rusë ishin në një automjet me tabela të Cetinjës së Malit të Zi, dhe të njëjtin e kishin marrë me qira në Budvë.

Prokurori ka treguar sesi u kapën ata në përpjekjen e dytë për të hyrë në Kosovë.

“Dy shtetasit rusë u përpoqën të hyjnë në territorin e Kosovës por nuk i plotësonin kushtet për këtë, sepse nuk kishin vizë dhe leje qëndrimi, pra mundësinë e qëndrimit në Kosovë. Pastaj, ata përdorën një rrugë alternative në fshatin Sharpel, dhe u përpoqën të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Aty u kapën nga një patrullë, u ndaluan dhe u proceduan penalisht. Kam vendosur masën e paraburgimit prej 24 orësh. Ne po punojmë në këtë çështje dhe ka të ngjarë që ata të paraqiten para gjykatësit pasdite”, tha Bakiq.

Duke raportuar për këtë rast, Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka arritur të sigurojë edhe fotografi të personave të dyshuar. /Gazeta Sinjali/