Tre persona janë lënduar si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur sonte, rreth orës 20:40 në autostradën “Arbën Xhaferi”, në segmentin Babush – Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se shoferi ka humbur kontrollin mbi veturë, e cila është rrokullisur në rrugë.
“Ju njoftojmë se sonte rreth orës 20:40 në autostradën ‘Arbën Xhaferi”, Babush – Lipjan, një veturë me targa vendore ka humbë kontrollin dhe është rrokullisur. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar tre persona të lënduar”, tha ai.
Hoxha bëri të ditur se Njësiti për Menaxhim dhe Kontroll të Autostradës po merret me rastin.
Zëdhënësi i policisë ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti shoferët, që të kenë kujdes të shtuar dhe ta përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, në mënyrë që të shmangen rastet e tilla të rrezikimit të jetëve në trafik.
“Policia po vazhdon me marrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat që dalin nga Ligji për Trafikun Rrugor”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/