image Vetëvrasja e 20-vjeçares dhe dyshimet për lidhjen me tragjedinë e fundit, flasin familjarët e shoferit të vrarë

Sociale

Vetëvrasja e 20-vjeçares dhe dyshimet për lidhjen me tragjedinë e fundit, flasin familjarët e shoferit të vrarë

news image

Të premten e 26 nëntorit nga një breshëri plumbash në drejtim të një autobusi në Gllogjan mbetën të vrarë tre persona- shoferi i autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës. Mirëpo, dje u arrestuan tre persona, Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshniku dhe Malsori, ndërsa Sinjali mëson se personi i katërt është ende në arrati.

Në lidhje me arrestimin e tyre, ka folur babai i shoferit të vrarë, Xhafer Gjokaj.

Ai tha se është i kënaqur për arrestimet dhe se pret dënime të rënda për ta.

Jam i kënaqur me arrestimet dhe pres dënimet më të rënda për vrasësit që bën masakër edhe në nxënës“, ka thënë ai nga oda e tij ku po qëndronte me të vëllain Smailin, e ku thotë se çdo ditë presin njerëz që shkojnë ende për ngushëllime aty.

Babai i të ndjerit, që është 80-vjeçar, tha se nuk i njeh personat e arrestuar.

Jo nuk i njohim, Gllogjani është i madh, ata që thanë se janë arrestuar, nuk dimë send kush janë e tek janë“, është shprehur Xhafer Gjokaj.

Ai dhe vëllai i tij gjatë bisedës për KOHËN kanë mohuar se ata kanë qenë të përfshirë me familjen e të arrestuarve.

Po të kishte diçka të vërtetë këtu, familja e asaj çike ishte dashur me na çu njerëz sipas traditës dhe ia kishim gjetë çaren kësaj pune, ishim përgjigj, por ne nuk kemi marrë asnjë fjalë, asnjë ‘selam’ prej askujt për këta dhe ato fjalë nëse kanë thënë ashtu ata që u arrestuan, janë vetëm me e arsyetu veten“, ka thënë babai i shoferit të vrarë.

Djali jem nuk ka qenë i tillë, hyni këtu e deri në Pejë se s’mundesh me gjet dikë që flet keq për të“, ka thënë ai.

Nëse i paska pas hak dikujt, pse vrasësit kanë qitë maska kur kanë shtënë drejt autobusit, kur vritet dikush për hakmarrje vritet hapur dhe merret përgjegjësia, e jo kështu.”

Po të kishte përgjegjësi për vetëvrasje të asaj çike që po thonë nga Gllogjani, djali nuk do të kishte punuar në Gllogjan me autobus, edhe një vit pasi paska vdek ajo çikë.”

Ndërsa vëllai i Xhaferit, Smaili, ka përmendur një element tjetër. Ai tha se nëse Ganiu do të ishte përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së re, nuk do të lihej i lirë nga shteti.

Mbrëmë pasi u dha lajmi për këto arrestime dëgjova mandej se djali jonë ishte marrë në pyetje për atë vajzë, i ishte marrë edhe telefoni përkohësisht dhe pasi ishte dalë i pafajshëm, ishte liruar. Po të kishte përgjegjësi, djali ynë nuk do të lihej i lirë nga shteti tash e më tepër se një vit pas vetëvrasjes së asaj vajze“, është shprehur ai.

/GazetaSinjali/