image Vetëvendosje: Jemi alternativë për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët në Shqipëri

Politikë

Vetëvendosje: Jemi alternativë për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët në Shqipëri

news image

Tash e disa ditë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa nga ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë angazhuar në fushatën e kësaj partie në zgjedhjet e prillit në Shqipëri.

Ndryshe nga Kurti, i cili këtë angazhim po e bën duke u dhënë përkrahje kandidatëve të kësaj partie përmes Facebook-ut, ministrat dhe deputetët ka ditë që kanë shkuar fizikisht atje dhe po marrin pjesë aktive në këtë fushatë.

Pas reagimeve dhe kritikave të shumta që partia në pushtet mori nga qytetarët, të cilët po kundërshtojnë masat e reja antiCOVID dhe po kërkojnë angazhim për sigurimin e vaksinave në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një sqarim.

Kjo parti arsyetohet se është duke ofruar mbështetje logjistike dhe politike të qendrës së kësaj partie në Shqipëri, pasi që thonë se njëra nga zotimet e Kurtit në fushatën zgjedhore të shkurtit ka qenë fuqizimi i marrëdhënieve me Shqipërinë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi parë kritikë për këtë përkrahje logjistike dhe njerëzore që ka ofruar dhe po ofron LV në Shqipëri. Kritikë të cilën e kuptojmë pasi qytetarët presin që ne të angazhohemi në kryerjen e zotimeve që kemi marrë, të cilën po e bëjmë gjatë gjithë kohës. Por, pjesë e këtyre zotimeve ishte dhe mbetet fuqizimi i marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë”, ka shkruar Arlind Manxhuka, zëdhënësi i kësaj partie.

Nga kjo parti thonë se Lëvizja Vetëvendosje është alternativë për problemet dhe sfidat që përballen shqiptarët matanë kufirit.

“Ne besojmë që LV është alternativë ndaj problemeve, sfidave, e vështirësive me të cilat ballafaqohen qytetarët atje. Kosova dhe Shqipëria kanë qenë dhe janë përherë të lidhura me njëra-tjetrën, por edhe sfidat i kemi të përbashkëta; problemet ekonomike, sociale e politike, sidomos korrupsionin, varfërinë, papunësinë e migrimin”, ka shkruar tutje ai.

Kësisoj, ai thotë se zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri kanë hapur mundësinë që modelin e fitores së këtij subjekti politik në Kosovë, “ta ndajmë aktivisht edhe me vëllezërit e motrat tona në Shqipëri”./Gazeta Sinjali/