image Vetëvendosje ankohet në Supreme, kërkon të rinumërohen 392 pakot me fletëvotime nga diaspora

Kosovë

Zgjedhje/ Vetëvendosje ankohet në Supreme, kërkon të rinumërohen 392 pakot me fletëvotime nga diaspora

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Supreme të vendosë për numërimin e pakove me vota nga diaspora.

Sipas njoftimit nga kjo parti, për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kanë kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote.

“Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.

Ata thonë se e drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

“Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë certifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së”, thuhet tutje në njoftim.

Ata thonë se presin, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë./Gazeta Sinjali/