image Veteranët e UÇK-së i injorojnë rekomandimet e IKSHPK-së, ndryshojnë 'taktikën' e protestës

Kosovë

Veteranët e UÇK-së i injorojnë rekomandimet e IKSHPK-së, ndryshojnë ‘taktikën’ e protestës

news image

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar mbajtjen e protestës të thirrur për datën 9 korrik, ndonëse rekomandimi i IKSHPK-së për këtë organizatë ka qenë që tubimet masive është mirë të mos mbahen si pasojë e përhapjes së COVID-19.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së Nasim Haradinaj ka thënë se protesta do të mbahet duke ndërruar taktikë,  në të gjitha degët e organizatës nëpër komuna, ku do të marrin pjesë deri 99 persona.

“IKSHPK-ja na ka rekomanduar që këto dy javë nuk preferohet tubime të tilla sepse rrezikojnë shëndetin e popullatës, prandaj ne menduan që protestën të mos e prolongojmë, por të mbahet më 9 korrik, por do t’i delegojmë kompetencat tek degët e OVL-së nëpër komuna duke ndërruar taktikë. Vendosëm që cdo komunë ka të drejtë të protestojë në ora 12 të dalin vetëm 99 persona, ushtarë ose veteranë të UÇK-së, që simbolizon vitin 1999”, ka thënë Haradinaj në konferencë për media.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u ka bërë thirrje të shtunën OVL UÇK-së që ta anulojnë protestën e thirrur më 9 korrik për shkak të gjendjes në vend me pandiminë COVID-19.

Por, OVL-UÇK ka refuzuar ta anulojë protestën, duke ndryshuar planin e mbajtjes së saj.

Protesta do të organizohet në të gjitha komunat e Kosovës, dhe jo vetëm në Prishtinë ashtu siç ishte planifikuar fillimisht. /Gazeta Sinjali