Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona të dyshuar për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, gjatë ditës së djeshme, në rajonin e Prishtinës dhe në Pikën Kufitare në Vërmicë, raporton Gazeta Sinjali.
Si të dyshuar për këtë vepër, policia dje arrestoi katër persona në Fushë-Kosovë, tre në Prishtinë dhe dy të tjerë në Vërmicë.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, në rrugën “Uglar” në Fushë-Kosovë, u prangosën tre persona, te të cilët policia gjeti substancë narkotike të llojit marihuanë në sasi të ndryshme (1.58 gram, 0.90 gram dhe 0.40 gram).
Tre të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Për dyshime se aty ndodhen narkotikë, policia mbrëmë rreth orës 20:24, ka bastisur edhe një shtëpi në lagjen “Kolonia” në Fushë-Kosovë.
Gjatë kontrollit të kësaj shtëpie, janë gjetur dhe konfiskuar shtatë qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike, të llojit kokainë, si dhe një tabletë e llojit ekstazi me peshë 3.05 gram. Me urdhër të prokurorit i dyshuari, pas intervistimit, lirohet në procedurë të rregullt.
Tre të dyshuar të tjerë për posedim të narkotikëve u kapën në rrugën “Xhorxh Bush”, në kryeqytet.
Dy prej tyre u kapën pasdite, rreth orës 16:00, ndërsa i treti u prangos në mbrëmje, rreth orës 21:15.
Tek i pari, polica gjeti dhe konfiskoi 2.7 gram marihuanë, 0.6 gram pluhur i bardhë dhe një thikë. Pasi që është intervistuar, prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.
Te i arrestuari i dytë, policia gjeti dhe konfiskoi një cigare të mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.04 gram. Me urdhër të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Në procedurë të rregullt u lirua edhe i dyshuar tjetër, i cili u kap me një qese të vogël të mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë 1.01 gram.
Dy raste të tjera të arrestimit të personave të dyshuar për posedim të substancave narkotike të llojit marihuanë u arrestuan dje paradite, në Pikën Kufitare në Vërmicë.
Rasti i parë rezultoi me arrestimin e një të dyshuari, tek i cili policia gjeti dhe konfiskoi një qese najloni të mbështjellë, në të cilën kishte pasur substancë narkotike të llojit marihuanë.
I dyshuari ishte pasagjer i një autobusi nga Shqipëria, që kishte hyrë në Kosovë. Me vendim të prokurorit, atij i është konfiskuar pasaporta si masë sigurie për paraqitje. Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Po në atë kohë, pikërisht në Vërmicë, u arrestua një i dyshuar i cili posedonte një qese me marihuanë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/