image Vetëm 17 për qind e grave në Kosovë kanë pronë

Drejtësi

Diskriminim/ Vetëm 17 për qind e grave në Kosovë kanë pronë

news image

Ndonëse viteve të fundit flitet për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri, realizimi i të drejtës së tyre në pronë vazhdon të mbetet problem shqetësues, që i bën objekt diskriminimi në çështjen e ndarjes së pasurisë.

Sipas një hulumtim të fundit që ka bërë Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjes financiare, vetëm 17 për qind e grave kanë ndonjë pronë të tyre. Ndërsa nga 38 për qind e grave të divorcuara që kanë kërkuar të drejtën e tyre në pasurinë e përbashkët, vetëm njëra prej tyre e ka realizuar këtë të drejtë.

Drejtoresha e INJECT, Luljeta Aliu, tha se 50 për qind e grave të divorcuara kanë përjetuar dhunë. Në bazë të hulumtimit, Aliu u shpreh se 38 për qind e grave të divorcuara e kanë kërkuar pasurinë e tyre, porse 60 për qind e tyre nuk e kanë marrë.

“70 për qind kanë vendim të gjykatës për alimentacion, ndërsa vetëm 25 për qind e grave e kanë marrë me rregull. 60 për qind e grave që janë deklaruar kanë thënë se bashkëshorti nuk ka pasur pasuri të veçantë, ndërsa ato nuk e kanë marrë gjysmën e pasurisë”, tha ajo.

Naim Qela, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë dhe koordinator për Dhunë në Familje, tha se shoqëria duhet të mësohet me mendimin ndryshe.

“Padyshim se kemi pasur një të kaluar të vështirë por kemi pasur një praktikë gjyqësore. Ne duhet të kemi parasysh edhe zhvillimin e shoqërisë sonë si popull, ndërhyrjet që kemi pasur. Megjithatë kemi arritur të krijojmë një gjyqësor solid. Çka po ndodh sot me gratë është për tu shqetësuar”, tha ai.

Derisa në të drejtën zakonore shqiptare gruaja ka qenë e diskriminuar në aspektin e të drejtës së trashëgimisë, Ligji aktual në fuqi për Trashëgiminë, e njeh barazinë gjinore në këtë drejtim, mirëpo ky ligj del të mos zbatohet në shumicën e rasteve./Gazeta Sinjali/