image Veseli për vendimet e Qeverisë Kurti: PDK për 12 vjet në pushtet nuk largoi askënd nga puna

Kosovë

Deklaratë/ Veseli për vendimet e Qeverisë Kurti: PDK për 12 vjet në pushtet nuk largoi askënd nga puna

news image

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka folur për vendimet e Qeverisë Kurti, lidhur me shkarkimin e disa zyrtarëve të ministrive dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

Veseli ka thënë se PDK ka qenë në pushtet për 12 vite, mirëpo nuk ka larguar njerëz nga puna.

Këto komente lideri i opozitës i bëri në Podujevë, me rastin ceremonisë së promovimit të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Naim Fetahu.

Veseli më këtë rast tha se shpenzimi i gjysmë milioni eurove për organizimin e zgjedhjeve në Podujevë po bëhet vetëm për qejfin e Agim Veliut, i cili la postin e kryetarit të Komunës së Podujevës, për të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“500 mijë euro duhet të shpenzohen vetëm për qejfin e dikujt që dëshiron të akomodohet në Prishtinë. Ata (kandidatët e LDK-së dhe VV-së për kryetar të Podujevës) do të vazhdojnë të mendojnë për vetëveten e tyre dhe jo për juve – qytetarë të Podujevës”, ka thënë ai.

Kurse, Naim Fetahun, Veseli tha se është kandidat që i ka mbajtur të gjithë përgjegjësitë dhe ka sjellë investime në Podujevë.

“Naimi Fetahu të gjitha përgjegjësitë që i ka mbajtur, është munduar që të sjellë investime në komunën e Podujevës. Jemi krenar që shumica e këtyre projekteve të mëdha e kanë vulën e PDK-së”, tha ai./GazetaSinjali/