Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, i ka dërguar letër institucioneve të Bashkimit Evropian për të kërkuar ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës në këtë kohë pandemie.
Lideri i opozitës ka thënë se qeveria e shkarkuar e Albin Kurtit nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar shqiptarët atje, të cilët thonë se po ndihen të lënë anash nga qeveria qendrore, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot dërgova një letër drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian, për të kërkuar angazhimin e tyre në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nga bisedat që kam zhvilluar me përfaqësues të ndryshëm politik si dhe me miq të shumtë personal të atjeshëm, jam informuar se gjendja nuk është aspak e mirë dhe se shqiptarët ndihen të lënë anash prej qeverisë qendrore. Fatkeqësisht ata mund të marrin shërbime shëndetësore vetëm nga spitali i Vranjës, i cili ësh të tashmë i mbingarkuar”, ka shkruar Veseli në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Tutje, ai thotë se në letër ka theksuar që, në bashkëpunim dhe me ndihmën e institucioneve të BE-së, Kosova mund të angazhohet që të zgjerojë kapacitetet dhe burimet e spitalit të Gjilanit për ta vendosour në dispozicion të shqiptarëve të Luginës së Preshevës./GazetaSinjali/