Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka udhëhequr Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së fundit, tha sot se konstituimi i Kuvendit duhet t’u hapë rrugë formimit të Qeverisë së Kosovës.
Pas seancës në të cilin u betuan deputetët dhe u zgjodh kryetari e nënkryetarët e Kuvendit, Veseli tha se nuk duhet krijuar kriza artificiale të cilat mund t’i vënë qytetarët në kriza sociale.
Kadri Veseli u tha gazetarëve se në një shtet të ri siç është Kosova, janë normale rotacionet demokratike.
Ai nuk është përgjigjur kur është pyetur se a do të votojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës.
“Shpresojmë që dita e sotme do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve siç është Qeveria e Republikës së Kosovës. Jemi shtet i ri, demokraci parlamentare janë normale rotacionet demokratike. Ajo çka është kryesore nuk duhet të polarizojmë qytetarët mes vete dhe nuk duhet të krijojmë kriza artificiale, të cilat mund ta vënë situatën e qytetarit tanë në një krizë sociale siç është marrja e pagave që është nga shkurti përkatësisht nga marsi i vitit të ardhshëm”, u shpreh Veseli.
Sot është bërë konstituimi i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, me zgjedhjen e kryetarit të ri Glauk Konjufca nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesë nënkryetarëve, pavarësisht se VV dhe LDK erdhën në seancë pa një marrëveshje paraprake për formimin e qeverisë së re.