image Veseli: Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi i madh politik

Politikë

Veseli: Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi i madh politik

news image

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka paralajmëruar se vetëm partia që ai e drejton mund ta bëjë rimëkëmbjen kombëtare të shqiptarëve.

Sipas tij pandeminë e mashtrimit nga qeveria Kurti dhe Hoti mund ta ndal vetëm PDK.

Ai tha se në kryeqytetin historik të shqiptarëve ka mbledhur partinë e tij para të cilëve paraqiti platformën për rimëkëmbje kombëtare.

Kreu i PDK-së tha se më 6 tetor të vitit të kaluar ndodhi mashtrimi i madh politik që sipas tij dobësoi shtetin e Kosovës.

“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë. Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare”, tha ai.

Kryetari i PDK-së tha se do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi.

“Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare.Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë. Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti. Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK. Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve. Njerëz të rinj dhe ide të reja – do të jenë themel i projektit tim të ri me PDK-në për Kosovën. PDK do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim”, tha ndër të tjera Veseli. /Gazeta Sinjali/