Pasditen e djeshme, Klina u godit nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në fshatin Pataqan, ku nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë 40-vjeçari, Mark Ademi.
Pasi ndodhi rasti, Policia arrestoi tre persona si të dyshuar për vrasjen e tij – Anton Ndrecaj si i dyshuar kryesor, Ndue Ndrecaj dhe një person tjetër. Siç njoftojnë burimet e Sinjalit, Ndue Ndrecaj tashmë është liruar, pasi ishte shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë njoftuar se prokurori kujdestar bashkë me gjyqtarin e procedurës paraprake e kanë realizuar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të zbardhjes së rrethanave dhe grumbullimit të provave për procedim të mëtejmë.
Me të marrë informacionet, njësitet e Policisë së Kosovës kanë kontrolluar katër shtëpi dhe objekte përcjellëse në fshatin Pataqan të komunës së Klinës në lidhje me vrasjen e Ademit.
Sipas të njëjtave burime, në tri shtëpi nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme nga zyrtarët policorë, ndërsa në shtëpinë e Anton Ndrecajt janë gjetur dhe konfiskuar:
- 2 pushkë ajrore;
- Një pistoletë HS;
- Një pushkë Remington karabiner;
- 2 pushkë gjuetie;
- Një pushkë automatike AK-47;
- 65 fishekë të kalibrit 12 mm, 33 fishekë të kalibrit të panjohur, 22 fishekë të kalibrit 7.62×25 mm, 30 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm;
- Pistoletë me një fishek dhe një karikator me 8 fishekë.
Cak i kontrollit të Policisë ishte edhe vetura e të ndjerit, Mark Ademi. Aty Policia e gjeti një pistoletë.
Anton Ndrecaj, tanimë është nën masën e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa trupi i pajetë i Ademit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Fotografi të armëve të konfiskuara:
Por si ndodhi e gjithë ngjarja, kur u njoftua Policia dhe si u qëllua Ademi nga kushëriri i tij?
Tragjedisë që u ndodhi dy familjeve, kushërinj mes vete, në fshatin Pataqan u parapriu një rrahje, afër një kafeterie, rreth orës 16:40 të ditës së djeshme
Gjithçka nisi me një fjalosje, për motive ende të panjohura, mes vëllezërve të Mark Ademit me vëllezërit e të dyshuarit Anton Ndrecaj që fillimisht çoi në rrahje. Por, konflikti mes tyre eskaloi deri në atë pikë, sa i dyshuari kryesor Anton Ndrecaj nxori armën e zjarrit dhe gjuajti në drejtim të Markut.
Kur u njoftua Policia për rastin
Një patrullë policore kishte marrë informacionin rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi. Sinjali mëson se Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi. Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.
Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.
Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.
40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton Ndrecaj, Ndue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.