image Vendoset - Zgjedhjet presidenciale në Poloni mbahen përmes postës

Botë

Botë/ Vendoset – Zgjedhjet presidenciale në Poloni mbahen përmes postës

news image

Dhoma e Ulët e Kuvendit të Polonisë, e cila kontrollohet nga nacionalistët në pushtet, në orët e vona të së hënës, e ka miratuar projektligjin për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të majit përmes postës, për shkak të koronavirusit.

Partia “Ligj dhe Drejtësi”, e cili tash për tash është në pushtet, ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen pavarësisht rritjes së numrit të viktimave nga koronavirusi. Kjo parti propozoi që zgjedhjet të mbahen përmes postës, shkruan “Reuters”.

Partia në pushtet po kritikohet për rrezikimin e shëndetit publik vetëm për t’ia siguruar një mandat të ri presidentit të tanishëm, Andrzej Duda, i cili është përkrahës i saj dhe i cili, sipas anketave, pritet t’i fitojë këto zgjedhje.

Kuvendi fillimisht kishte votuar për bllokimin e këtij plani, pasi një aleancë e gjerë konservatore që i përkrah nacionalistët u përça. Megjithatë, partia në pushtet e siguroi shumicën e votave të hënën. Projektligji u përkrah nga 230 deputetë, 226 ishin kundër dhe dy abstenuan.

Polonia deri më tani i ka regjistruar 4 mijë e 413 raste të prekura me koronavirus, 107 prej të cilëve kanë vdekur. Ekspertët presin që pandemia ta arrijë kulmin në maj ose qershor. Zgjedhjet presidenciale janë parashikuar për datën 10 maj./Gazeta Sinjali/