Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti në takim njoftues shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Jean-Luis Servais.
Gjatë këtij takimi, Veliu ka vlerësuar se Kosova duhet të rifillojë fushatën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Është tejet me rëndësi që institucionet e Kosovës të rifillojnë fushatën për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë ministri.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të këtyre dy vendeve, sidomos në mes dy policive për luftimin e të gjitha formave të krimit dhe terrorizmit. Në këtë aspekt ministri Veliu u shpreh i kënaqur që Policia e Kosovës ka arritur standarde dhe vepron sipas standardeve ndërkombëtare.
“Veliu e falënderoi shefin e zyrës belge për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës, në konsolidimin e shtetit si dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e ligjit”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërsa Jean-Luis Servais u zotua se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Mbretërisë së Belgjikës, sidomos në përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane dhe fuqizimin e ligjit në Kosovës./Gazeta Sinjali/