Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pritet që javën e ardhshme do të raportojë para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për kasafortën konfidenciale që ish-ushtruesi i detyrës në MPB, Xhelal Sveçla, la hapur mbi tavolinë.
Lidhur me raportimet se ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla e ka lënë të hapur kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare, nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha tha se këto sqarime do t’i marrin nga ministri i këtij dikasteri, Agim Veliu i cili pritet që javën tjetër të raportojë para këtij komisioni.
“Ne e kemi thirrur të raportojë në komision, ministrin e Punëve të Brendshme dhe pastaj aty do të sqarohet gjithçka”, tha ai.
Ndryshe, kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry.
Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik.
Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit.
Ndërkaq, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes sot ka mbajtur mbledhje, ku ka shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019./ Gazeta Sinjali/