Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në zyrën e tij këngëtarin, Gjon Muharremajn, të cilin e vlerësoi maksimalisht për arritjet, teksa i dhuroi “Kullën e Sahatit” një simbol për miqtë special, shkruan Gazeta Sinjali.
Duke iu referuar karrierës së Gjonit, Veliaj tha se është shembulli më i mirë se me shumë punë mund të arrihet gjithçka.
“Të kam ndjekur që kur ke qenë fëmijë edhe je shembulli i dikujt që i ka arritur gjërat me punë, me punë, me punë, me punë, me punë, me përpjekje. Jam shumë krenar për ty edhe dua shumë që të jesh një shembull për djem e vajza të tjerë”, u shpreh Veliaj.
Gjoni falënderoi kryetarin Veliaj për dhuratën, ndërsa tha se ndihet krenar që gjysmën e origjinës së tij e ka nga Tirana, pasi nëna e tij është lindur e rritur pikërisht në kryeqytetin shqiptar.
“Faleminderit shumë për këtë dhuratë, dhe për këtë simbolikë shumë të bukur. Ndjehem shumë krenar që e kam gjysmën time nga Tirana dhe e përqafoj gjithë fisin tim që është këtu. Faleminderit shumë”, u shpreh këngëtari.
Gjon Muharremaj, këngëtari me origjinë shqiptar, i njohur edhe me emrin artistik si Gjon’s Tears përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku u rendit në vendin e tretë. /Gazeta Sinjali/