Aktori i njohur kosovar, Vedat Bajrami ka thënë se regjisorët dhe aktorët e Turqisë janë të gatshëm dhe kanë potencial të realizojnë një film për komandantin legjendar, Adem Jashari.
Siç tregoi ai, këtë vit së bashku me ekipën dhe një regjisor turk kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me ç’rast janë informuar edhe fizikisht me historinë e komandantit.
“Unë e kam pas Kazimin dhe komplet ekipën me një regjisor shumë të madh turk në Prishtinë dhe në vizitë te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kanë marrë shumë informata, e kanë pa vendin edhe pse e dinë këta luftën në Kosovë, se kanë qenë pjesëmarrës vetë, edhe shteti turk na ka ndihmu. Janë interesuar shumë më shumë rreth filmit. Është ëndërr e çdo produksioni me bë filmin e Adem Jasharit. Unë mendoj që ka potencial me u bë filmi i tij”, u shpreh ai në RTV21.
Ai tha se pavarsisht që Kosova ka depertuar nëpër festivale në botë, diçka e ngjashme si film të luftës nuk ka bërë, dhe për këtë arsye ai e sheh si të domosdoshme krijimin e një filmi të tillë për historinë tonë.
“Është një temë shumë sensitive, një temë e ndjeshme që duhet me u plasu shumë bukur. Për me e realizu duhet me e pas një qasje shumë ndryshe. Filmin nuk mundemi me bë pa ndihmën e njerëzve, pa një super buxhet dhe pa konsultime”, u shpreh Vedati.