image “Veç e kemi pak kalimthi, policia nuk na ka treguar asgjë” – flet nëna e të miturës që u gjet pas gjashtë muajve në Gjakovë

Kosovë

Detaje/ “Veç e kemi pak kalimthi, policia nuk na ka treguar asgjë” – flet nëna e të miturës që u gjet pas gjashtë muajve në Gjakovë

news image

Prindërit e të miturës Yllka Derrit nuk dinë ende asgjë se ku dhe si është gjetur vajza e tyre, Yllka e cila kishte qenë e zhdukur qe gjashtë muaj.

Gazeta Sinjali ka biseduar gjatë ditës së sotme me nënën e Yllkës, Teuta Derrin e cila ka thënë se informacionet e vetme që i kanë është se vajza e tyre është gjetur.

Ajo i ka thënë Gazetës Sinjali se gjenden në Qendrën Sociale për të provuar që të marrin informata më shumë atë se çfarë ka ndodhur.

“Për momentin jemi në Qendrën Sociale dhe jemi duke provuar që të marrim informacione se çfarë ka ndodhur”.

“Nuk di asgjë se as ku është gjetur sepse nuk kemi fol me policët as asgjë dhe nuk kemi kurrfarë informate njëherë përnjëherë”, ka deklaruar ajo.

Nëna e të miturës ka thënë se janë lejuar vetëm ta shohin shumë shkurt vajzën e tyre, dhe asgjë më shumë.

“Veç e kemi pa edhe sen s’po di. Kemi hy kështu kalimthi e kemi pa dhe asgjë më shumë”.

“Asgjë nuk kemi mundur me e pyet dhe as policia nuk na ka informua asgjë deri më tash. Besoj që ndoshta jo sot, por të paktën nesër do të na informojnë”, ka deklaruar Teuta Derri për Gazetën Sinjali.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka gjetur Yllka Derrin të lajmëruar si të zhdukur nga prindërit e saj që nga qershori i këtij viti. Aty thuhet se është gjetur në shtëpinë e Besart Blerim Radostës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë sot në ora 06:30 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë e personit të dyshuar Besart (Blerim) Radosta, i dyshuar për vepër penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare””.

“Gjatë operacionit policor është arrestuar personi i dyshuar e po ashtu është gjetur edhe personi i mitur Yllka (Naim) Derri e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj që nga data 15 qershor e këtij viti”, thuhet në njoftim ne Policisë së Kosovës.

Në bisedën e realizuar gjatë javës së kaluar Teuta Derri, nëna e Yllkës kishte drejtuar gishtin në drejtim të Blerim Radostës dhe djalit të tij Besartit.

Ashtu siç kishte pretenduar ajo, në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur Yllka Derri.

Yllka Derri më 14 qershor të këtij viti ishte nisur për në shkollë, ku kishte qenë duke vijuar mësimet në klasën e nëntë. Vetëm dy orë pasi ishte nisur nga shtëpia, babai i Yllkes, Naimi, kishte marrë një thirrje telefonike, raporton Gazeta Sinjali.

Në telefon ishte lajmëruar Blerim Radosta, babai i B.R, 17-vjeçar me të cilin ishte duke qëndruar Yllka. Familjarët kanë treguar për Gazetën Sinjali se Radosta i kishte thënë Naimit se vajza është me djalin e tij.

Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin aspak të mira, për shkak se prindërit e Yllkës nuk ishin pajtuar që vajza e tyre të kalojë në një fazë të tillë ‘martesore’ si 15-vjeçare. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Gjakovës, por vajza e tyre kishte qëndruar e zhdukur për rreth gjashtë muaj deri në ditën e sotme./Gazeta Sinjali/