image Vdesin 10 emigrantë duke u përpjekur të arrijnë në ishujt spanjollë

Evropë

Vdesin 10 emigrantë duke u përpjekur të arrijnë në ishujt spanjollë

news image

Ekipet e shpëtimit spanjollë thonë se 10 emigrantë kanë vdekur teksa po përpiqeshin të arrinin në arkipelagun e Ishujve Kanare në Oqeanin Atlantik.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se të hënën gjetën një varkë emigrantësh që po lëvizte 200 kilometra nga Ishujt Kanare dhe shpëtuan 40 njerëz, por gjetën dy trupa.

Varka besohet të jetë nisur nga Dakhla në bregun e Saharës Perëndimore pesë ditë më parë. Një avion spanjoll e ka parë varkën duke lëvizur në Oqeanin Atlantik. Të paktën pesë persona duhej që të evakuoheshin me helikopter në një spital në ishullin Gran Kanare për ndihmë urgjente mjekësore. Të mbijetuarit e tjerë po ktheheshin në portin e Arguineguin në të njëjtin ishull në një nga anijet e shpëtimit.

Vdekjet u raportuan të hënën një ditë pasi tetë persona të tjerë vdiqën në bordin e një varke tjetër me emigrantë në rrugë për në arkipelagun spanjoll. Kryqi i Kuq ka raportuar  se një emigrant vdiq pak pasi arriti në tokë të dielën vonë.

Shërbimi i Shpëtimit Detar i Spanjës tha se më shumë se 100 njerëz janë shpëtuar nga anijet e kontrabandës së emigrantëve dhe janë sjellë në Ishujt Kanare në dy ditët e fundit. Deri më tani këtë vit, më shumë se 17,000 emigrantë dhe refugjatë kanë arritur në Ishujt Kanare me anije, një rritje prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Gazeta Sinjali/