Giovanni Belluscio, albanologu i shquar arbëresh, ka vdekur të dielën në Cosenza në moshën 58-vjeçare, ka njoftuar Universiteti i Prishtinës.
Në njoftimin e UP-së shkruan se ai ka qenë profesor në Universitetin e Kalabrisë, teksa përmenden arritjet e tij në fonetikën eksperimentale.
“Giovanni Mario Giacomo Belluscio ka qenë mjeshtër i fonetikës eksperimentale dhe ka realizuar një sërë punimesh me vlerë për fonetikën e shqipes. Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqëndruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të aplikuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, sociolinguistikë si edhe analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe”, shkruan në njoftim.
Belluscio, ndër tjerash, ka shkruar për realizimet fonetike të spikerëve në radiot e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në kuadër studimeve të tij në terren ka zhvilluar ekspedita gjuhësore në pjesën veriore të Shqipërisë: Theth, Vermosh, Bogë (2007), Bajram Curri, Dragobi, Cernica, Shoshan, Raja, Viçidol (2012).
Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore dhe ka dhjetëra punime shkencore.
Ka kontribuar në disa projekte, si: IRRSAE Puglia (1992), Progetto EMOL, Fryske Akademy-Olanda (1995), EUROMOSAIC (1993-94). Ka botuar dy libra: Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë, shqip-italisht-frëngjisht-anglisht (2011, bashkautor), The Albanian Language in Education in Italy (2010).
Po ashtu, ka qenë anëtar i bordit të INA-s (International Netëork of Albanology). Ka qenë pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (herën e parë më 2003). Ka qenë, po ashtu, pjesë e një projekti të përbashkët me Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës për hulumtimin e të folmeve arbëreshe. Kumtesa e tij e fundit për albanologjinë është mbajtur dhjetorin e shkuar në Universitetin e Berlinit (Humboldt Universitat).
“Albanologjia nuk ka një tjetër studiues të kalibrit të tij që do ta zëvendësojë në fushën e fonetikës dhe të studimeve në terren”, shkruan në njoftimin e UP-së.