image Vdes 5-vjeçarja që u godit me veturë nga zyrtari policor në Kaçanik

Siguri

Vdes 5-vjeçarja që u godit me veturë nga zyrtari policor në Kaçanik

news image

Ka ndërruar jetë 5-vjeçarja e cila ishte goditur me veturë nga një zyrtar policor, më 14 qershor, rreth orës 20:07 në fshatin Stagovë të Kaçanikut, raporton Gazeta Sinjali.

Zyrtari policor me inicialet L.D., 51-vjeçar, ishte me veturë private, jashtë detyrës zyrtare, kur dyshohet se e ka goditur 5-vjeçaren.

Për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar, që nga ajo ditë, vogëlushja me inicialet S.M., ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ka ndërruar jetë sot rreth orës 05:37.

Sipas policisë, deri te aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjes ‘’Dashi’’ në drejtim të magjitsrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi”, të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, ku në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, ku i shkakton lëndime të rënda trupore.

Polici e kishte dërguar 5-vjeçaren e lënduar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik. Pasi që e kishte marrë ndihmën e parë, ajo ishte transferuar për trajtim mjekësor të mëtutjeshëm në QKUK.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor në ditën e aksidentit. Ndërsa, me urdhër të prokurorit, ai ishte ndaluar për 48 orë.

Sot, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është në procedurë të mëtejme hetimore./Gazeta Sinjali/