Dy fëmijë të moshës 8-vjeçare ndërruan jetë dje në fshatin Carralevë të Shtimes, pas goditjes që morën nga një veturë, raporton Gazeta Sinjali.
Familjarët e tyre kanë rrëfyer se si ka ndodhur rasti.
Njëri nga familjarët tha se fëmijët nuk kanë qenë duke ecur në asfalt, por anash rrugës, në vendin që duhej të ishte i shtruar trotuari.
Ai thotë se ata të dy kanë qenë duke shkuar te një shok i tyre dhe se këtë rrugë e kanë kaluar çdo ditë, për të shkuar në shkollë.
“Ajo makinë i ka marrë fëmijët dy metra larg asfaltit, në atë pjesën ku është tokë, ku është pjesë e rrugës edhe mjerisht fati i tyre i mori jetën dy fëmijëve. Ata nuk kanë qenë në rrugë në asfalt as nuk ia kanë pre rrugën, kanë qenë duke shku te njëri shok, se ka qenë ditë e diel, por ata në këto kushte shkojnë edhe në shkollë dhe shkollën e kanë 2 km larg nga këtu.”
Ai tha se nuk kanë kontaktuar ende me personin që dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin.
“Nuk kemi kontakte me personin që ka shkaktu aksident. Kanë çu njerëz, mirëpo gjendja është shumë e rëndë dhe për sot nuk kemi kurgja mundësi në këtë drejtim edhe pse disa dojmë të bëjmë.“
Ky familjar u bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e kushteve për fëmijët, që të mos e kenë frikën e vdekjes në rrugë, duke thënë se vdekja e 8-vjeçarëve të jetë “thirrje për kujdes, për të gjithë ngasësit”.
“Vdekja e tyre le të jetë një thirrje për të gjithë ngasësit e makinave, sidomos këta që vijnë në këtë pjesën këtu. Thirrja le të mbetet një thirrje nga zemra e të gjithë banorëve dhe vdekja e tyre, që pushteti të ndërmerr diçka për përmirësimin e kushteve të këtyre fëmijëve, të paktën ata mos ta kenë frikën e vdekjes në rrugë”.
Ndërsa një kushëri i tyre tregoi se si ka ndodhur ngjarja, pasi që ai kishte qenë duke punuar në arë, afër vendit ku ka ndodhë aksidenti, kur kishte parë veturën që ka rënë në lum.
Ai thotë se njëri nga fëmijët ka pasur shenja jete derisa e kanë dërguar në ambulantë.
“Unë jom kanë në ara, veç i kom pa kerret që janë nalë aty, e kom nalë traktorin, një kushëri më ka thanë nale se ka ra ni kerr në rekë. Kur jom nalë, gruja më tha ‘nga se fëmijët e Adnanit’. Atëherë unë kom kcy, kur i pashë dy fëmijët e vogël, ai ish kanë personi që ka aksidentu. Qysh ka dalë prej kerrit, nuk e di. O ku janë thash të tjerët, kur më thanë fëmijët e Adnanit, thash ata janë të mdhaj, ata janë mbi 18 vjet, nuk kanë mujt me vozit vetë. O në kerr thash tjerët kush janë, o vlla tha mu më ka hup drejtimi. Atëherë na i kem kap. Unë e kom kap njanin, e aj njanin. Ni kerr na ka çu deri në ambulantë në Shtime. Lirjoni deri në ambulantë ka pas shenja jete, pulsi i ka rreh, aty ma në Prishtinë s’na kanë lan me hi. Në bazë të Adnanit, se ai i ka djem të vllavit. për Lirjonin tha se deri në Davidovc u kanë gjallë. Gruja tha për ni minut jom dalë prej shpisë, veç ai me djem u kanë, më tha gjallë janë.”
Kushëriri i tyre thotë se kanë bërë disa herë kërkesa që të shtrohet trotuari në atë pjesë, por që një gjë e tillë nuk është bërë akoma.
“Vështirë është sa të dush. Ndodhin bre ndodhin, te na nuk ka ba vakia, aksidente ndodhin, por kështu jo. Kemi bë kërkesa për trotuar, nuk e di pse. Kufizimi i shpejtësisë është, por pak ka polici këtu që dalin. Duhet me vozit me kujdes, nuk po e fajësoj atë se nuk ka ardhë me na i mbyt fëmijët. Besoj qe edhe ai është i trishtum sikur na”, tha për Kanal 10./Gazeta Sinjali/