Për vdekjen tragjike të Erion Afrim Isufajt në vendin e tij të punës në Deçan, policia ka prangosur pronarin e firmës ku punonte viktima, raporton Gazeta Sinjali.
Pas intervistimit, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale, “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore në Pejë.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit për këtë rast është ndaluar për 48 orë një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës””, konfirmoi Nikçi për Gazetën Sinjali.
Për vdekjen e të riut në vendin e tij të punës, ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“Tronditës lajmi për ndarjen nga jeta e të riut nga Gllogjani i Deçanit,- Erion Afrim Isufaj. Erioni humbi jetën tragjikisht në vendin e tij të punës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithëve për Erionin”, ka shkruar Ramosaj.