Pas më shumë se një muaji nga vdekja e një punëtori të ndërtimtarisë, i cili u rrëzua nga një lartësi prej 9 metrash nga objekti ku po punonte në fshatin Shkabaj të Obiliqit, është arrestuar pronari i kompanisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Enver Ramën, 53-vjeçar, i cili si pronar i kompanisë do të hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sinjali mëson se gjatë procesit të hetimit jamë ngritur dyshimet për kushtet në të cilat ka punuar punëtori i ndjerë, Imli Hakiqi, që mund të kenë shkaktuar vdekjen e tij.
Rasti ishte hapur fillimisht si “Vdekje e dyshimtë”, por pas mbledhjes së informacioneve dhe provave të tjera është zgjeruar pista e hetimeve.
Pronari i dyshuar i kompanisë që mërret me ndërtimari është intervistuar si i dyshuar dhe pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë.
Përveç tij, kanë nisur hetimet edhe ndaj dy personave të dyshuar për kallëzim të rremë.
Vepra për të cilën dyshohet Rama është e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh burgim deri në 12 vjet.
“Kushdo që është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.