image Vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin për vrasjen e gruas shtatzënë, flasin nga Prokuroria

Siguri

Vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin për vrasjen e gruas shtatzënë, flasin nga Prokuroria

news image

Kanë kaluar 42 orë nga vrasja makabre e 35-vjeçares Hamide Magashi nga i dyshuari, ish-burri i saj Sokol Halili, para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, por organet e ndjekjes dhe hetuesisë akoma nuk kanë arritur të kapin atë.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës tregojnë për Gazetën Sinjali se janë duke hetuar të gjitha pistat se ku mund të jetë i arratisuri, por deri tash edhe përkundër disa aksioneve e bastisjeve nuk është arritur kapja e të dyshuarit për vrasjen e rëndë.

Sipas zyrtarëve të PThP-së i dyshuari është në kërkim dhe se për të është lëshuar urdhër arrest.

“Prokuroria së bashku me Policinë kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme, por deri tash është gjetur vetëm vetura e të dyshuarit në Shtime, por jo edhe i dyshuari”, njoftojnë nga organi i akuzës.

Prokuroria nuk japin detaje tjera rreth rastit.

Në anën tjetër, Policia ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin dhe madje ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të cilët mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij.

Por nga Policia e Kosovës nuk janë deklaruar sot rreth aktiviteteve të kërkimit të personit në fjalë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/