image Varroset nëna nga Gjakova, e cila po udhëtonte bashkë me dy fëmijët e saj me autobusin që u aksidentua në Kroaci

Sociale

Varroset nëna nga Gjakova, e cila po udhëtonte bashkë me dy fëmijët e saj me autobusin që u aksidentua në Kroaci

news image

Në varrezat e fshatit Lipovec të Gjakovës këtë të mërkurë iu dha lamtumira e fundit Leonora Gjotaj – Kolmekshaj, e cila humbi jetën në aksidentin tragjik në Kroaci.

Me lot në sy, familjarët varrosën të ndjerën e cila la pas vetes dy fëmijët e saj me të cilët ishte edhe në autobus.

Familjarit të saj, Gëzim Kolmekshaj, nuk i besohet se e ndjera nuk do të jetë më. Ai tha se një humbje si kjo është e vështirë dhe e dhimbshme.

“Për ne është ditë shumë dhimbshëm se kemi pasë një kunatë shumë të mrekullueshme dhe kemi pasë një jetë si vëllezër ndërmjet vete. Qenka shumë e vështirë por po dufka me përballu. Ka lënë pas dy djem, djemtë na kanë pshtu me na hek pak mërzinë dhe me u çmallë. Ata kanë qenë me nënën e tyre, por nëna e tyre vdiq”, tha ai për KP.

Në ceremoni të varrimit, në mesin e shumë qytetarëve që morën rrugë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Leonorës, ishte edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Gjini tha se në këtë ditë të vështirë do të qëndrojnë pranë familjarëve që humbën jetë në Kroaci.

“Sot është edhe një ditë në vazhdën e disa ditëve që i kemi pas shumë të dhimbshme pas fatkeqësisë së komunikacionit që ka ndodhur në Kroaci. Sot familja e varrosi një prej viktimave, Leonora Kolmekshajn. U shpreha ngushëllime familjes dhe u shpreh ngushëllime gjithëve. Sot do t’i varrosim viktimat dhe do të jetë një ditë shumë e dhimbshme për familjet, për më të afërmit, mirëpo, vetëm çka duhet të bëjmë është të shpresojmë që raste të tilla mos të na ndodhim më.”

“Atyre që janë ende duke u shëruar iu uroj shërim të shpejtë dhe atyre që kanë mbetur në Kroaci, një kthim më të shpejtë. Por, për familjet që i kanë humbur të dashurit janë ditë të dhimbshme duhet të provojmë të u gjendemi pranë”, tha Gjini./Gazeta Sinjali/