Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në mesditë, ku një njësi policore ka ndaluar për kontroll rutinore një veturë të tipit Audi në fshatin Shirokë të Suharekës, në të cilën ndodheshin dy të rinj.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se gjatë kontrollit, njërit nga ata (emër i njohur për redaksinë) i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet se ka qenë e llojit marihuanë.
Sinjali mëson se pas kontrollit, dy të rinjtë janë dërguar në stacion policot për t’u intervistuar, ku njëri nga ata është trajtuar si i dyshuar dhe tjetri është intervistuar në cilësi të dëshmitarit.
I dyshuari e ka pranuar se qesja me substanca narkotike është e tij dhe se të njëjtën e kishte blerë në Prishtinë nga një person i gjinisë mashkullore, por që nuk ka mundur ta identifikon emrin e tij.
Ndaj tij është iniciuar rasti “posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope dhe analoge” dhe pas zbatimit të hetimeve nga Prokurori i Shtetit, aktakuza do të ushtrohet në gjykatë, thotë burimi nga Prokuroria në Prizren.