Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur edhe orët e para të ditës së sotme në fshatin Torinë të Lipjanit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndalur një veturë, ku ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
20-vjeçari i dyshuar është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.