image Vala e shtrenjtimit s'ndalet, çmimet e konsumit në Kosovë u rritën gati 7% krahasuar me vjet

Kosovë

Vala e shtrenjtimit s’ndalet, çmimet e konsumit në Kosovë u rritën gati 7% krahasuar me vjet

news image

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë muajit maj të këtij viti është shënuar rritje e ndjeshme e çmimeve në nivel vjetor, ndërsa në baza mujore është regjistruar një rënie e lehtë.

Sipas raportit, zhvillimet në inflacion lidhen kryesisht me lëvizjet në sektorët e transportit, energjisë, strehimit dhe ushqimeve.

Në raport me majin e vitit 2025, niveli i përgjithshëm i çmimeve është rritur mesatarisht 6,8%, ndërsa krahasuar me prillin 2026, inflacioni mujor ka rezultuar -0,4%, duke reflektuar ulje të çmimeve në disa kategori kryesore, veçanërisht në transport dhe energji.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë, mesatarisht 6,8% në muajin maj 2026, krahasuar me muajin maj 2025. Inflacioni mujor ishte -0,4% në muajin maj 2026”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, rritja vjetore është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it, ku përfshihen transporti (14,1%), strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhani dhe narkotikët (5,6%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5,3%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (5,1%), shëndetësia (4,1%), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacioni, sporti dhe kultura (2,7%), veshjet dhe këpucët (2,4%) si dhe informacioni dhe komunikimi (0,2%).

Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e shërbimeve arsimore, me -0,6%.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/