Në Tiranë u firmos sot kontrata e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”, pjesë e një programi të bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare dhe ajo amerikane. Kontrata u nënshkrua në bazën ajrore shqiptare në Farkë, nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka thotë për VOA se “helikopterët Black Hawk që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës Ajrore shqiptare, investimi i NATO-s në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore, falë mbështetjes dhe të aleatit strategjik”.
Ndërsa ambasadorja Kim “helikopterë Blackhawk dhe financimi i përbashkët i tyre tregojnë se, dita ditës, Shqipëria po bëhet një aleate edhe më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë i sigurisë në rajon dhe më gjerë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria – tha ajo – qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”.
Pajisja me helikopterët Blackhawk u diskutua gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara një vit më parë, të ministres Xhaçka. Gjatë kësaj kohe pilotët shqiptarë janë trajnuar pranë Gardës Kombëtare të Neë Jersey. Brenda viti, pritet që fillimisht të mbërrijnë në Shqipëri dy helikopterë. Helikopterët UH-60 Blackhawk, kanë një rreze të gjera përdorimi. Ambasadorja Kim shpjegoi se ato “mund të kryejnë misione të ndryshme për shumë vite që do të vijnë.
Ata mund të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi, të luftojnë zjarret dhe të transportojnë trupa drejt luftimeve dhe jashtë tyre, mes të tjerash”.
Ajo shtoi më tutje se së bashku me helikopterët “ky program mbulon trajnime për pilotët, ekuipazhin dhe ekuipazhet e mirëmbajtjes, mbështetjen me pjesë këmbimi dhe më e rëndësishmja, ndihmën për reformat institucionale për të përshtatur taktikat, teknikat dhe procedurat për të siguruar që këta avionë të mbeten frytdhënës për një kohë të gjatë në të ardhmen”./Gazeta Sinjali/