image Uran Ismaili zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Prishtinës

Politikë

Uran Ismaili zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Prishtinës

news image

Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.

Nga shkolla “Ismail Qemali” në Breg të Diellit, ku e ka kryer filloren dhe ku e ka kaluar fëmijërinë, Ismaili ka thënë se po i futet kësaj gare për t’ia kthyer Prishtinën qytetarëve.

Sipas tij, Prishtina për një kohë të gjatë vuan nga një dhimbje konstante, pikërisht si pasojë e dështimit të partive politike me Prishtinën.

“Nën flamujt dhe logot partiake u kërkua vota e u fitu pushteti, por për 20 vite Prishtina u trajtu si treg i madh pronash e si koeficient për ndërtime e mbindërtime. Qyteti u trajtu pa vizionin e duhur dhe pa ndjeshmërinë e kërkuar. Me disa vizatime të cilat hidheshin në kosh të mbeturinave pas zgjedhjeve”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka shtuar se Lagjet e Prishtinës nuk janë as të partive politike e logove partiake që i kanë shfrytëzuar e anashkaluar të gjitha lagjet.

“Lagjet e Prishtinës janë tonat dhe duhet ta kthejmë vëmendjen nga to. Dardania, Ulpiana, Aktashi, Kodra e Trimave, Qendra, Mati, fshatrat e Prishtinës… të gjitha janë lënë në harresë”, ka thënë ai.

“Qytetin po e bëjnë të pa banueshëm nga brenda për të krijuar lagje të reja jashtë Prishtinës. Po e mbysin shpirtin e lagjeve të Prishtinës, duke shndërrua lagjet tona në geto të betonizuar dhe të shëmtuar”, ka shtuar Ismaili.

Nisur nga kjo, Ismaili tha se çdo prishtinas sot e ndjen thirrjen e Prishtinës që kërkon ndihmë.

“Por, unë, si ju e si çdo qytetar i Prishtinës, e njoh qytetin tim, ja njoh ëndrrat, energjinë e paçliruar dhe potencialin që e ka ky qytet për jetë. E di që na kanë humbë shumë kohë, por jo edhe shpresën se mund ta fitojmë betejën për një Prishtinë të mirë e funksionale”, tha Ismaili.

Në ceremoninë e kandidimit të Ismailit për kryetar të Prishtinës, foli edhe ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA-së, Vlora Çitaku, e cila tha se ka parë që Prishtina po shkatërrohet.

“E kom pa Prishtinën nga larg, Uran, e kom pa që po shkatërrohet. Qyteti nuk mund të bëhet përderisa kryetari i Prishtinës merret me dialogun, ose me shërbime karshi liderëve partiakë, ose me shërbime karshi ndërtuesve”, tha Çitaku.

Deri tani kanidaturat për kryeqytetin i kanë zyrtarizuar edhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./Gazeta Sinjali/