image UP ndërmerr masa kundër Ardian Kastratit për ofendimet që ia bëri presidentes

Arsim

UP ndërmerr masa kundër Ardian Kastratit për ofendimet që ia bëri presidentes

news image

Pas distancimit dhe dënimit të gjuhës denigruese që profesori i Fakultetit të Filozofisë, Ardian Kastrati, përdori ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.

Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.

“Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut”, thuhet në një njoftim për media.

Kastrati, i cili është edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të shkrimtarit Faik Konicës, drejtuar Vjosa Osmanit, ditën kur ajo u zgjedh presidente e vendit.

Kastrati në një postim në Facebook, ndonëse nuk ka sqaruar nëse postimi i tij ka cak ndonjë figurë të caktuar publike, ka bullizuar me pamjen e jashtme të presidentes, nëpërmjet vargjeve të Konicës: “…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”./Gazeta Sinjali/