Sekretari i Universitetit të Pejës ka shpërblyer me tenderë bashkë partiakun e tij të PDK-së, Berat Thaqin, shkruan Gazeta Sinjali.
Kontraktori i PDK-së, Berat Thaçi, i cili ka në pronësi biznesin “Grand Studio O.P.” ka fituar disa tenderë në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Në këtë Universitet sekretar është zyrtari i lartë i PDK-së, Astrit Ademaj i cili dyshohet se e ka shpërblyer bashkëpartiakun e tij me para të buxheti i shtetit.
Miqësia e Ademajt me Thaqin shpërfaqet edhe nëpër takime të partisë dhe në ndeja private.
Në tenderin për furnizim me material promovues për Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, kanë qenë 8 ofertues ndërsa prej tyre kompania “Grand Studio O.P.”e aktivistit të PDK-së, është vleresuar më e duhura për ta fituar tenderin me vlerë 13.795,00 euro.
Data e dhënies të kësaj kontrate ka qenë me 13.08.2018. Por kjo nuk është kontrata e vetme që e ka fituar anëtari i PDK-së, në Universitetin që udhëhiqet nga bashkëpunëtori i Xhavit Halitit, ish nënkryetarit të Kuvendit nga PDK-ja.
Berat Thaqi ka marrë edhe tre tenderë të tjerë me vlera më të vogla në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Kompania e tij N.T.SH. ” GRAND STUDIO ka fituar tenderin me vlerë prej 930 eurove për shtypjen e materialeve për organizimin e 6 vjetorit të themelimit të UHZ-së dhe materialeve tjera pastaj tenderin për dizajnimin e WEB faqes së UHZ-së në vlerë prej 500 eurove.
Tenderi për shtypjen e broshurave, rollbanereve dhe panos për nevojat e UHZ-së, është fituar poashtu nga Berat Thaqi.
Në këtë tender të Universitetit “Haxhi Zeka” kanë qenë tre ofertues, shuma e tenderit ka qenë 520 euro ndërsa Berat Thaqi e ka fituar për 350 euro . /Gazeta Sinjali/