Rektorët e Universiteteve Publike kanë reaguar pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit nga ENQA.
Përmes një komunikate për media, rektorët thanë se kjo është një goditje e madhe për arsimin e lartë në Kosovë, veçmas për studentët.
“Përjashtimi i AKA-së nga ENQA është goditje për gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët. Dëmi është shumë i madh. Përjashtimi i AKA-së është pasojë e politikave të gabuara në arsim. KSHC-ja në vazhdimësi ka qenë e ndikuar prej politikës. Vendimi i ENQA-së është pasojë e degradimit të AKA-së dhe dobësimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë në biznes dhe në vegël politike. Konsiderojmë se ENQA i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC-së që të stabilizohet por KSHC-ja ka dështuar në këtë aspekt”, thuhet në komunikatë.
Tutje rektorët paralajmërojnë sërish mbledhje, pas 6 tetorit, ku do të paraqesinë disa kërkesa për qeverinë e ardhshme.
“Konferenca e Rektorëve paralajmëron se, menjëherë pas zgjedhjeve të nivelit qendror, do ta mbajë edhe një mbledhje, për të kërkuar nga qeveria e ardhshme seriozitet dhe përkrahje të arsimit, e jo ndikim dhe ndërhyrje në IPAL”, thuhet në komunikatë./Gazeta Sinali/