Dy shqiptarë u kapën sërish nga policia në Britaninë e Madhe duke u kujdesur për një fermë të madhe kanabisi, dy vjet pasi u arrestuan po për të njëjtën veprimtari. Të dy janë dënuar me 20 muaj burg.
Mirush Kula dhe bashkëkombësi i tij shqiptar Sami Lame u kapën më 24 mars, pas një bastisje të madhe nga ana e policisë në zonën e Trafalgar Street, Consett.
Gjykata e Durham Croun tha se Lame u gjet i fshehur në papafingo, ku po dridhej kur policia e ndaloi.
Oficerët gjetën 248 bimë kanabisi me një rendiment të mundshëm deri në 21 kilogramë ku nëse do shiteshin do sillnin fitime nga 70,000 deri në 210,000 £.
Të dy burrat u arrestuan dhe e pranuan se prodhonin kanabis. Lame tha se këtë punë po e bënte vetëm prej një jave. Lame ishte dënuar edhe më parë me 9 muaj burg. Ai ishte liruar në shkurt të këtij viti por sërish ishte rikthyer tek aktiviteti kriminal.
Ndërkohë shqiptari tjetër, Kula ishte nën hetim për rolin e tij në kujdesin e rritjes së kanabisit në një rrugë banimi në Luton, Bedfordshire, nga ku policia gjeti 122 bimë në nëntor 2020.
36-vjeçari Kula, pa vendbanim të caktuar, ashtu edhe i bashkëakuzuari i tij 25-vjeçar, nga Bedford, pranuan veprën e fundit të prodhimit të kanabisit. Kula pranoi një akuzë të ngjashme në lidhje me fermën e kanabisit në Luton. Kula, tha se funksioni i tij ishte i kufizuar në kujdesin për bimët duke ujitur ato dhe nuk kishte asnjë rol “operativ ose menaxhues” në operacion.
Avokati mbrojtës tha se i pandehuri, i cili nuk di të lexojë apo të shkruajë, ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht për dy vitet e fundit, pasi ka ardhur këtu në një përpjekje për të fituar para duke bërë punë riparimi në shtëpi ose duke punuar në ndërtim, për të siguruar fëmijët e tij dhe familje në Shqipëri.
Menjëherë pas mbërritjes së tij në Angli pandemia goditi dhe puna mbaroi, duke e bërë atë të tërhiqej në “punë kriminale”.