image “Unë për ty jam profesor, ti je nxënës i dobët”, Jasharaj përplaset me Pozharin

Politikë

“Unë për ty jam profesor, ti je nxënës i dobët”, Jasharaj përplaset me Pozharin

news image

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj i ka reaguar analistit, Xhevdet Pozhari, pasi që ky i fundit e quajti atë “sharlatan”.

Jasharaj ka deklaruar se nuk duhet e as nuk hiqet si i zoti asnjëherë. Madje ai i tha Pozharit që për të është profesor e ai nxënës i dobët.

“Analist Pozhari një shpjegim tjetër për këtë fjalën ‘sharlatan’ po thotë “njeri me dije të pakta dhe të cekëta,. As ky nuk jam unë sepse për sindikalizmin unë për ty jam profesor e ti nxënës i dobët. .Ti shihet se nuk di hiç gjë për sindikatat e as për SBASHK-un. Pozhar sindikata jonë është më e madhja në Kosovë dhe është anëtare e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe e Internacionales Botërore të Arsimi9t dhe gëzon respekt të lartë kudo”, thuhet në shkrimin e tij dedikuar analistit Pozhari.

Reagimi i plotë i tij:

Nga punët dhe angazhimet e shumta më kishte ikur pa e vërejtur  një postim të bartur në mediet e nderuara te analistit Xhevdet Pozhari, i cili duke u munduar të më fyente më kishte quajtur “sharlatan”. Mendova se ky i dashuruar në vetvete dhe në Qeveri, po më thotë kështu  sepse nuk jam i bukur, se nuk i kushtoj kujdes veshjes dhe  ecjes , por kur u konsultova me fjalorët  për kuptimin e kësaj fjale duhet t’i them Pozharit se kjo fyerje  nuk më takon mua  sepse “sharlatan” , nga një shpjegim po thotë se  i thotë atij   që hiqet i zoti e i ditur, që shfrytëzon mirëbesimin ose padijen e të tjerëve. Unë  nuk fryhem, as nuk hiqem  si i zoti, Unë nuk shfrytëzoj kurrë mirëbesimin e të tjerëve, por ruaj  besimin që kanë anëtarësia në mua me çdo kusht e pavarësisht shpifjeve, fyerjeve e kërcënimeve të njerëzve që u ka humbur kriteri elementar i njerëzores dhe i virtyteve shqiptare.

Analist Pozhari një shpjegim tjetër për këtë fjalën”sharlatan” po thotë “njeri me dije të pakta dhe të cekëta,. As ky nuk jam unë sepse për sindikalizmin unë për ty jam profesor e ti nxënës i dobët. .Ti shihet se nuk di hiç gjë për sindikatat e as për SBASHK-un. Pozhar sindikata jonë është më e madhja në Kosovë dhe është anëtare e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe e Internacionales Botërore të Arsimi9t dhe gëzon respekt të lartë kudo. Në sindikatën tonë vendimet i sjellin   Kongresi dhe organet tjera, në të cilat janë përfaqësuesit e tërë arsimit  dhe të kulturës.  Këto vendime janë në bazë të kërkesave të anëtarësisë dhe janë obligative. Mua më vlerësojnë dhe më kanë zgjedhur për të tretën herë delegatët e Kongresit sepse e mbaj fjalën dhe besën. Pra, nga kjo po i bije se ti je “sharlatani”.

“Nëse SBASHK-u organizon grevë dhe mësimdhënësit heshtin  ne prindërit hiç nuk pretojmë me ja kallxue vendin një sharlatani”, je kërcënuar ti Pozhari.  O “analist” po a e di ti se SBASHK-u janë vetë punëtorët e arsimit se SBASHK-u nuk është helikopter dhe vendoset sipas zërit të tyre. A e di ti  ky kërcënim do të thotë se do të ma tregosh vendin që mund të jetë në burg, por s’i as edhe një mundësi se nuk kam bërë e as nuk do të bëj kurrë veprime që bien ndesh me ligjin apo mund të më dërgosh në varr, por , por pas një dite do të më bësh shok atje. Këtë mbaje mend ti dhe gjithë ata që për t’i hyrë në qejf Qeverisë duan të ma tregojnë vendin  sepse në atë vend do të jeni pastaj bashkë me mua sepse më beso ka kush e plotëson këtë amanet timin.

Rrahman Jasharaj,

Kryetar i SBASHK-ut.

/GazetaSinjali/