Rusia po kryen terrorizëm shtetëror në Ukrainë dhe do të vazhdojë të sulmojë shtete të tjera, tha ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov.
Duke folur përkrah Sekretarit britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace gjatë vizitës në Londër, Reznikov tha se 150 fëmijë ukrainas janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ai tha se mbi 400 shkolla dhe çerdhe dhe mbi 110 spitale janë shkatërruar.
“Mijëra e mijëra civilë” po ashtu janë vrarë, shtoi ai, dhe tha se ende nuk dihet se sa persona janë të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
“Ky është terrorizëm shtetëror. Prandaj Kremini duhet të ndalet, sepse do të vazhdojë edhe më tej, do të sulmojë shtete të tjera”, tha Reznikov, raporton REL.
Ai nuk dha ndonjë dëshmi për këto pretendime. Rusia vazhdimisht mohon se shënjestron caqe civile.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, ushtarët ukrainas kanë shkatërruar pothuajse 500 tanke ruse dhe mbi 1,500 makina të blinduara, tha ministri ukrainas. Ai tha se armët që i ka ofruar Britania janë përdorur në disa prej këtyre sulmeve.