Kanalizimi në mes të fshatit Bregu i Zi dhe Bujan i Lipjanit është duke u shkaktuar dëme të mëdha bujqve të këtyre zonave, shkruan Gazeta Sinjali.
Një banor i fshatit Bregu i Zi tha për Gazetën Sinjali se ujërat e zeza kanë përmbytur tokat pjellore të këtij fshati.
Ai tha se me këtë problem banorët e kësaj zone përballen tash e gjashtë vjet, por që vërshimet e ditëve të fundit kanë shtuar rrjedhjen e këtij kanalizimi.
Sipas këtij banori, Komuna e Lipjanit është e njoftuar me këtë problem dhe tash e gjashtë vjet intervenojnë kohë pas kohe, duke thelluar kanalin për disa metra, por kjo gjë, sipas tij, nuk po kryen punë.
Ai u shpreh i shqetësuar për dëmet që kanalizimi po ua shkakton në bujqësi dhe rritjen e mundësisë që ujërat e zeza të kontaminojnë ujin e pijshëm në këto fshatra.
“Ka rrjedhë rregullisht, por ka rrjedhë nga pak. Ujërat e zeza i kanë marrë arat pjellore me grurë dhe me kultura tjera bujqësore që ndodhet mes Lipjanit dhe Shtime, në rrugën “UÇK” të fshatit Bregu i Zi. Që 6 vjet kështu kemi probleme. Vijnë (nga Komuna), e ndreqin, e hapin tri metra, dhjetëra metra, e mbyllin dhe shkojnë. Pas një jave prapë bllokohet. Zoti e di çka është ka bëhet. Janë ardhë dy, tri ditë, para Vitit të Ri, i kanë hap edhe 10 metra, prapë ka fillu me rrjedhë. Është i rrezikshëm për ujin e pijshëm”, përfundoi banori./Gazeta Sinjali/