Udhëheqësia e lartë e talebanëve është raportuar të jetë mbledhur në Kabul, për të analizuar qeverinë e ardhshme, pas kthimit të grupit islamist në pushtet.
Organizimi i 21 gushtit do të zhvillohet teksa talebanët tentojnë të prezantojnë një imazh më të moderuar pas kthimit në pushtet, ndërkohë që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara evakuohen pas gati dy dekadave të luftës.
Një zyrtar i lartë i talebanëve, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se bashkëthemeluesi i talebanëve Mullah Abdul Ghani Baradar, do të takohet në Kabul dhe “liderët xhihadistë dhe politikanët për krijim të një qeverie gjithëpërfshirëse”.
Agjencia e lajmeve Reuters, ka cituar ndërkohë një zyrtar taleban të paidentifikuar të ketë thënë se Baradar ka qenë në Afganistan “për të deleguar përgjegjësitë te komandantët, për të takuar liderët e qeverisë paraprake, komandantët e milicive lokale, politikëbërësit dhe dijetarët fetarë”.
Ky zyrtar i ka thënë agjencisë së lajmeve se talebanët planifikojnë të krijojnë ekipe të ndara për t’u përballur me sigurinë e brendshme dhe krizën financiare në Afganistan.
Në takimin e udhëheqësisë talebane pritet të marrë pjesë edhe një zyrtar i grupit Haqani, i cili ka lidhje me talebanët dhe është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Talebanët kanë premtuar udhëheqësi “ndryshe” në krahasim me periudhën e fundit sa kanë qenë në pushtet më 1996-2001, kur kanë udhëhequr përmes një interpretimi të ashpër të ligjit islamik.
Me kthimin e grupit militant në pushtet, janë rritur shqetësimet për kthim të mënyrës së ashpër të jetesës për minoritetet fetare dhe gratë, të cilat janë përjashtuar nga jeta publike.
Talebanët janë zotuar për amnisti të përgjithshme ndaj secilit që ka punuar me Qeverinë e përkrahur nga SHBA-ja, mirëpo ka pasur raportime se militantët mund të lëndojnë gazetarët si dhe trupat dhe ish-zyrtarët qeveritarë afganë.
Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, ka thënë se luftëtarët talebanë kanë “masakruar” muajin e kaluar disa anëtarë të minoritetit shiit hazara, raporton REL.
Sipas kësaj Organizate, kjo është “shenjë tmerruese” e udhëheqësisë së grupit militant sunit.
Talebanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.