Një qytetar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në Greqi. Ngjarja ka ndodhur ne qytetin e Selanikut. Viktima mësohet se është 35-vjeçari Erald Jonuzi nga qyteti i Korçës, i njohur ndryshe me nofkën “Zezaku”.
Sipas policisë greke, 35-vjeçari është qëlluar me katër plumba. Jonuzi është qëlluar teksa ka dalë nga makina dhe po hynte për në banesën e tij.
Mediat greke shkruajnë se vrasja mund të ketë ndodhur për larje hesapesh. Ambulanca ka mbërritur pas disa minutash në vendngjarje dhe e ka transportuar në spital, por 35-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja.
Sipas mediave greke, policia helene dyshon se ngjarja lidhet me aktivitetin e klubeve të natës në Selanik.
Erald Jonuzi rezulton një emër i njohur dhe për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2009 ndaj tij ka pasur hetime në Korçë për falsifikime dhe kalim të paligjshëm kufiri. Ndërsa ka qenë dëshmitarë në gjyqin për një vrasje të ndodhur në vitin 2010. /EuronewsAlbania/