Gjatë mbrëmjes së sotme mediat raportuan se në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje ne fshatin Gllanasellë të komunës së Drenasit, një person është parë duke gjuajtur me armë në një ambient të mbyllur, tubim ky në të cilin ka qenë prezent edhe deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë video para se të gjuhet me armë, rapsodët dëgjohen duke kënduar për Fejzi Kiqinën, kandidatin e VV-së për Drenasin. Kurse, më pas një nga personat e pranishëm gjuan disa herë me armë.
Ndërkaq, se prezent në këtë tubim ka qenë Enver Dugolli, dokumentohet përmes një fotoje të publikuar nga mediumi, nga ku vërehet se fotografia është bërë në të njëjtin vend ku dëgjohen të shtënat me armë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me deputetin Dugolli i cili nuk ka mohuar faktin se ka qenë në këtë tubim.
“Jo, unë kam qenë në një tubim në Gllanasellë, por pastaj kemi lëvizur kemi shkuar te një tubim tjetër në Zabel të ulët. Nuk e di s’po më…Po kam qenë tubim, unë kam qenë në tubim, unë kam lëviz, nuk di çka ka ndodhë”, tha ai për Sinjalin.
I pyetur se gjatë kohës sa a kishte gjuajtje me armë gjatë kohës sa Dugolli ishte prezent në këtë tubim, ai e ka mohuar shkurtimisht në gjë të tillë.
“Jo, jo”, ka shtuar ai për Sinjalin.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.